Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për përdorim të kujdesshëm të antibiotikëve, duke theksuar se ata nuk janë të nevojshëm për çdo infeksion.
Në kuadër të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike, IKShPK ka këshilluar qytetarët të mos përdorin antibiotikë për ftohje, grip apo dhimbje fyti me origjinë virale, si dhe të mos i ndajnë me të tjerët apo të ruajnë barnat e mbetura.
Instituti ka theksuar se antibiotikët duhet të përdoren vetëm me këshillën e profesionistëve shëndetësorë, duke rikujtuar se përdorimi i përgjegjshëm i tyre mbron shëndetin e të gjithëve.













