Policia e Kosovës ka paralajmëruar për një e-mail mashtrues që po dërgohet në adresa të ndryshme elektronike të institucioneve dhe personave privatë. Mesazhi pretendohet se është dërguar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, dhe Agjencia e Kosovës për Siguri Kibernetike.
E-maili me titullin “Raport: krim kibernetik/Droga të paligjshme” pretendon se pranuesi ka përmbajtje ilegale në adresën e tij dhe i kërkon të paraqitet brenda 24 orëve në polici, në të kundërtën kërcënohet me arrestim.
Policia ka sqaruar se bëhet fjalë për një dokument të falsifikuar dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që ta injorojnë, të mos ndërmarrin veprime dhe të mos përgjigjen. Rasti do të trajtohet nga institucionet përkatëse.













