Nëse i sheh reklamat e tyre, potencialisht do të lutesh që të të jepet mundësia për të blerë produkte në “Neptun Kosova”, pasi që promovimet e tyre flasin për cilësi e kujdes ndaj konsumatorit. Mirëpo, një realitet i hidhur dhe mashtrues fshihet në raste të caktuara pas kompanisë “Neptun Kosova”, i cili përcillet me produkte që prishen shpejt e që kompania nuk u përgjigjet garancioneve në letër të dhëna ndaj konsumatorëve. Kjo vërtetohet edhe me një vendim të Inspektoratit të Ministrisë të Tregtisë që mban datën 11 mars 2026.
Veriu.info ka siguruar këtë vendim të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut të Ministrisë së Tregtisë me të cilin kompania “Neptun Kosova” Sh.P.K. është gjobitur me 3 mijë euro, për shkak se nuk ka përmbushur obligimet ndaj konsumatorit. Madje, nuk ka zbatuar as urdhëresën e dhënë nga IQMT-ja.
Në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, thuhet se bazuar në ankesën e konsumatorit më 24 shkurt 2026 është inspektuar pika e “Neptun Kosova” Sh.P.K. në Prizren, ku është konstatuar se konsumatori ankues më 14 dhjetor 2025 ka blerë telefon Samsung, në të cilin më 18 dhjetor 2025 i është shfaqur një defekt.
Pas këtij inspektimi, Inspektorati ka obliguar kompaninë “Neptun Kosova” që brenda pesë (5) ditësh t’i përgjigjet konsumatorit, duke ia zëvendësuar telefonin me një telefon të ri ose t’ia kthejë mjetet financiare.
Përkundër kësaj urdhërese të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut të Ministrisë së Tregtisë, “Neptun Kosova” nuk e ka kryer obligimin ndaj konsumatorit, duke shpërfillur në tërësi urdhëresën e inspektorit.


Për shkak të kësaj shkeljeje ligjore, Inspektoratit Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjobitur me 3 mijë euro kompaninë “Neptun Kosova”.
Së fundi Veriu.info ka raportuar edhe për një rast të ndodhur në Prishtinë, ku “Neptun Kosova” nuk i ishte përgjigjur konsumatorit për garancionin e dhënë për produktin e blerë.
Përveç pikës në Prizren, Veriu.info ka raportuar për ankesën e një konsumatoreje të pikës së “Neptun Kosova” në Gjilan, ku qytetarja është ankuar se as aty nuk i janë përgjigjur për defektin e telefonit, edhe pse kishte garancion.
Ndryshe, pronarë të “Neptun Kosova” janë grupi Balfin i Samir Mane me 60% të aksioneve, përderisa Arsim dhe Ilir Papraniku zotërojnë nga 20% të aksioneve të kompanisë.
Mediat në Shqipëri ditëve të fundit kanë raportuar për përfshirjen e Sami Mane në afera korruptive me politikanë. (https://veriu.info/pergjimet-nxjerrin-ne-pah-lidhjet-korruptive-te-biznesmenit-samir-mane-me-politikane/).

Më 2024 mediat kishin raportuar se Arsim Papraniku ishte biznesmeni që kishte mundësuar arratisjen e Artan Grubit nga Maqedonia e veriut, pasi që kishte transportuar për në Kosovë, duke shfrytëzuar targat zyrtare si ‘konsull nderi i Kosovës në Maqedoninë e veriut. (https://fax.al/news/42584034/arsim-papraniku-eshte-biznesmeni-qe-e-ka-transportuar-artan-grubin-ne-kosove).

LEXONI EDHE:













